“Tetori Rozë” pa mamografi në QSUT: Pajisja me defekt, gratë kthehen pa kontroll

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 17.10.2025, 20:55

Në muajin që i kushtohet ndërgjegjësimit për parandalimin e kancerit të gjirit, mamografia në Spitalin Onkologjik të QSUT është jashtë funksioni. Pajisja, e vetmja në shërbim të qindra grave që kërkojnë kontrolle, ka dalë prej gati një jave me defekt, duke lënë dhjetëra paciente pa mundësi për të kryer ekzaminimin bazë të kancerit të gjirit.

Sipas dëshmive për mediat, mjekët u kanë sugjeruar grave që të bëjnë vetëm eko të gjirit, ndërsa nuk dihet se kur do të riparohet mamografi. As vetë Ministria e Shëndetësisë nuk ka dhënë një përgjigje, ndërkohë që në rrjete e aktivitete publike vazhdon me thirrjet për kontrolle parandaluese, pa qenë në gjendje të ofrojë shërbimin kryesor në spitalin më të madh onkologjik të vendit.

Por problem nuk është vetëm mamografia. Edhe brakiterapia, aparatura e specializuar për trajtimin e pacienteve me kancer gjinekologjik, është jashtë funksioni prej disa muajsh.

Burime nga Onkologjiku sqarojnë se ekipi shqiptar i teknikëve duhet të konsultohet me ekspertë të huaj për riparimin e pajisjeve, një procedurë që shpesh zgjatet me javë apo muaj.

Ironikisht, ndërsa institucionet shfaqen me fjongo rozë dhe fushata sensibilizuese, gratë që kanë më shumë nevojë për kujdesin e shtetit po përballen me dyer të mbyllura dhe aparatura të prishura.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit