Në Kroaci janë të bindur: Arbër Hoxha është një nga lojtarët më të vlefshëm që ka Dinamo e Zagrebit. Dhe nuk është pak të jesh titullar në klubin më të madh të vendit, një skuadër që prej dekadash është simbol i suksesit në Ballkan.
Ylli kuqezi po kalon momentin më të mirë të karrierës. Me formën e tij të lartë, me lojën e rafinuar dhe goditjen karakteristike nga krahu i majtë, Hoxha është shndërruar në një nga armët kryesore të Dinamos, si në kampionat ashtu edhe në arenën europiane.
Megjithatë, në Kombëtaren shqiptare, për momentin, mbetet ende një “zgjedhje e dytë”. Trajneri Silvinjo e aktivizoi fillimisht në pjesën e dytë kundër Serbisë dhe më pas i dha besimin si titullar në miqësoren me Jordaninë. Dhe Hoxha nuk zhgënjeu: një gol spektakolar në fitoren 4-2, një veprim që të kujtonte më të mirin e Arjen Robenit driblim, futje në qendër dhe gjuajtje e saktë në cepin e portës.
Ishte goli i parë i tij me fanellën kuqezi pas 19 ndeshjesh, një shpërthim që mund të shërbejë si pikënisje për rolin që ai meriton në Kombëtare.
Në këtë sezon, 27-vjeçari numëron 3 gola dhe 3 asistë me Dinamon, me realizime të rëndësishme ndaj rivalëve të përjetshëm të Hajdukut dhe Sllaven Belupos. Ai është bërë një pikë referimi në sulmin e zagrebasve, duke kontribuar si finalizues ashtu edhe si krijues.
Nëse vazhdon me këtë ritëm, Arbër Hoxha jo vetëm që do të mbetet një emër i rëndësishëm në Kroaci, por mund të bëhet edhe një titullar i padiskutueshëm në Kombëtaren kuqezi aty ku po e pret momenti i tij për të shkëlqyer vërtet.