Nëse do të kërkonit ndonjë shembull tipik të rrugëve që nuk i ka prekur dorë njeriu prej dekadash, mjafton të shkoni në Zall-Herr. Pikërisht aty ku ndodhet rruga që lidh dy reparte ushtarake, një segment që në letër duhet të ishte i standardeve të larta, por në realitet duket sikur ka kaluar një ofensivë tankesh, jo makinë civile.
Asfalt nuk ka. Gropat janë aq të thella sa mund të mbillen pemë brenda tyre. Balta në ditët me shi e kthen rrugën në një fushë stërvitjeje për zhytje, ndërsa pluhuri në ditët me diell mbulon gjithçka, përfshirë edhe ndonjë ndjesi minimale dinjiteti qytetar.
Ironia? Rruga shërben për strukturat ushtarake, por është më e rrezikshme se çdo terren manovrash. Bashkia e Tiranës, që mezi pret të hapë ndonjë rrugicë për selfie, këtu duket se ka harruar se jetojnë njerëz. Në Zall-Herr nuk kërkojnë “shëtitore me palma”, por një rrugë normale, ku fëmijët të mos shkojnë në shkollë me çizme balte dhe mjetet e ushtrisë të mos përplasen me gropat si me armiq imagjinarë.
Kështu pra, ndërsa milionat e tenderëve enden në “rikualifikime urbane” në qendër të Tiranës, në periferi, rrugët që çojnë drejt institucioneve të mbrojtjes kombëtare janë të pambrojtura nga vetë shteti. Nëse kjo nuk është tallje me qytetarët, atëherë është thjesht paaftësi e institucionalizuar.