Sulm me dy bomba ndaj gazetarit italian Sigfrido Ranucci hetimi në duart e prokurorisë antimafia

Shkruar nga: A Gjoni | Publikuar më: 17.10.2025, 17:05

Rreth 1 kilogram eksploziv u përdor në një atentat me bombë ndaj gazetarit investigativ italian dhe prezantuesit të emisionit Report, Sigfrido Ranucci. Shpërthimet shkatërruan automjetin e gazetarit dhe të vajzës së tij, por fatmirësisht askush nuk u lëndua.

Ngjarja ndodhi në Campo Ascolano, në periferi të Romës, ku dy bomba shpërthyen poshtë shtëpisë së Ranucci. Vetë gazetari raportoi lajmin përmes rrjeteve sociale, duke publikuar një video që tregon automjetet e shkatërruara.

“Dy bomba shkatërruan makinat e parkuara përpara shtëpisë në Campo Ascolano. Ato mund të kishin vrarë këdo , vajza ime sapo kishte kaluar aty pranë”, shkroi Ranucci. Ai tha se shpërthimet ndodhën vetëm pak minuta pasi vajza e tij kishte hyrë në shtëpi, ndërsa vetë gazetari ishte kthyer në shtëpi kur dëgjoi dy shpërthime pas njëra-tjetrës.

gazetari Sigfrido Ranucci, atentat me bombë, makinat e shkatërruara, antimafia, shpërthim eksplozivi, Report Rai 3, sulm mafioz, Itali

Hetuesit e karabinierëve dhe DIGOS po kryejnë hetime teknike për të përcaktuar natyrën e pajisjeve shpërthyese. Prokurorët antimafia të Romës, të udhëhequr nga Carlo Villani dhe zëvendësprokurorja Ilaria Calò, po hetojnë ngjarjen si dëmtim kriminal i rënduar nga metodat mafioze.

Ranucci deklaroi se gjatë vitit të fundit ka pasur incidente të pazakonta, duke përfshirë gjetjen e dy fishekëve P38 jashtë shtëpisë së tij, dhe përpjekje për të delegjitimuar punën e tij. “Ende nuk e di si ta interpretoj atë që ndodhi. Mund të kishte vrarë dikë nëse dikush do të kalonte në atë moment”, tha gazetari.

Ministri i Mbrojtjes, Guido Crosetto, e cilësoi sulmin si “një akt shumë serioz, frikacak dhe i papranueshëm” dhe shprehu solidaritet të plotë për Ranuccin dhe familjen e tij, duke theksuar rëndësinë e mbrojtjes së lirisë së informimit dhe shprehjes.

Hetimet janë në vijim dhe autoritetet po përpiqen të sqarojnë motivet dhe identifikojnë përgjegjësit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit