Zona përreth fabrikës së miellit në Tiranë është bërë simboli më i qartë i dështimit urbanistik dhe bashkëpunimit të heshtur mes pushtetit dhe biznesit të pangopur. Ajo që dikur u reklamua si një ndërhyrje moderne me pesë korsi, sot është kthyer në një rrugë të ngushtë, kaotike dhe të rrezikshme, ku trafiku nuk mbaron asnjëherë.
Punimet, të marra përsipër nga kompania Salillari, u zvarritën për më shumë se tetë vite, dhe rezultati përfundimtar është një skandal më vete. Rruga që duhej të lehtësonte qarkullimin, sot është pengesë për qytetarët, ndërsa institucionet bëjnë sikur nuk shohin.
Në mes të këtij kaosi qëndron fabrika e miellit “Prima”, nën administrimin e Agron Haxhiymerit, e cila ka zaptuar hapësirën publike duke e ngushtuar rrugën nga pesë në dy korsi. Në çdo vend normal kjo do të ishte e paimagjinueshme, por në Shqipëri, ku ligji përkulet përpara interesave të mëdhenjve, gjithçka lejohet.
Dhe kështu ndodh që qytetarët kalojnë orë të tëra në trafik, humbasin kohë, punë, durim, ndërsa shteti mban ison e heshtjes. Policia rrugore shfaqet aty thjesht për “figurinë”, bashkia mbyll sytë, ministritë bëjnë sikur nuk kanë dëgjuar asgjë. Në fund, askush nuk mban përgjegjësi.
Ky nuk është thjesht një problem rrugor, por një simbol i kapjes së shtetit nga oligarkët. Një shembull se si interesat e pak njerëzve shkatërrojnë përditshmërinë e mijëra të tjerëve. Dhe për sa kohë pushteti vazhdon të mbrojë ata që zaptojnë, qytetarët do të vazhdojnë të ngecin, jo vetëm në trafik, por edhe në një sistem që ecën vetëm për të fortët.
Pyetja e cila ngre qytetari se vetëm oligarkët mund ta shfrytëzojnë Shqipërinë do të mbetet për shumë gjatë pezull.