Banorët dhe ish-banorët e fshatit Galush, njësia administrative Përparim në Bashkinë e Peqinit, janë bërë bashkë për të realizuar një punë që në fakt u takon institucioneve, ndërtimin e rrugës së fshatit. Me fonde të mbledhura vetë, përkushtim dhe punë fizike në një terren të vështirë prej mbi 2 kilometrash, ata po e çojnë drejt përfundimit rrugën që lidh tokat dhe shtëpitë e tyre, pa pasur asnjë ndihmë nga Njësia Administrative apo bashkia Peqin me kryetar Bukurosh Maçi.
Pavarësisht ankesave të shumta drejtuar Bashkisë Peqin dhe njësisë administrative, banorët shprehen se nuk kanë marrë as edhe një karrocë dore zhavorr nga ana e institucioneve. Asnjë mbështetje, asnjë interesim, ndonëse tokat që ata i kanë mbjellë me pemë frutore janë burim jetese për shumë familje. Rruga është jetike për transportin e prodhimeve bujqësore dhe për qarkullimin e përditshëm. Ironikisht, njësia administrative nuk ka munguar në mbledhjen e çdo detyrimi të tokës ndaj banorëve.
Denoncimi i banorëve të fshatit:
Përshëndetje JOQ Albania! Jemi banor dhe ish-banor të fshatit Galush, njësia administrative Përparim, Bashkia Peqin. Jemi bërë gjithë bashkë, duke mbledhur fonde për të shtruar rrugën e këtij fshati, edhe jemi afër përfundimit rruga mbi 2 km dhe terren shumë i vështirë, forcën punëtore duke e siguruar vetë, hekur, beton normalisht. Pas shumë ankesave në bashki, asnjë lloj mbështetje, asnjë lloj ndihme, as edhe një karrocë dore zhavorr. Por ne po e bëjmë nga malli për vendlindjen edhe për tokat që kemi mbjellë me pemë frutore. Ndërkohë, njësia administrative ka mbledhur çdo detyrim toke që kemi. Përshëndesim çdo qeveritar që e shikon këtë postim dhe i lutemi: mos afrohet fare për votime.
Të zhgënjyer nga indiferenca e shtetit, përmes JOQ, ata i kanë drejtuar një mesazh të drejtpërdrejtë qeveritarëve, të mos afrohen për votime, pasi kontributi dhe përkushtimi për vendlindjen nuk mund të përdoren për përfitime politike në kohë fushate.