Në kryeqytetin që synon të bëhet pjesë e Bashkimit Europian, furnizimi me ujë të pijshëm vijon të mbetet një sfidë e përditshme për banorët. Nga Selita në Kombinat, nga Lapraka në Kinostudio, qytetarët raportojnë mungesë kronike uji, që shpesh vjen vetëm dy herë në ditë, për nga 30 deri në 60 minuta – nëse vjen fare.
Në zonën e Selitës, banorët tregojnë se situata është përkeqësuar muajt e fundit. Ata detyrohen të zgjohen në orët e para të mëngjesit për të mbushur depozita e bidona, ndërsa shumë familje pa pompa u përballen me mungesë totale uji.
“Uji vjen një orë në mëngjes, një orë në darkë – ndonjëherë as aq. Nuk arrijmë të mbushim as depozitat. Jetojmë me bidona. Paguajmë fatura për ujë që nuk e marrim,” thonë banorët.
Në Laprakë, një nga zonat më të populluara të qytetit, situata nuk është më e mirë. “Vjen 30 minuta në mëngjes, ndonjëherë as nuk hapet rubineti. Jemi me fëmijë të vegjël, duhet të mbushim ujë me dorë. E blejmë me autobotë, me çmim të kripur,” tregon një banore.
Përveç mungesës, banorët ankohen edhe për cilësinë e ujit që u shkon në rubineta, duke e përshkruar si të pistë dhe me erë të keqe. Filtrat në shtëpi bllokohen shpesh, dhe shumë prej tyre ndihen të detyruar ta blejnë ujin për përdorim ditor.
“Uji është i qelbur, nuk lajmë dot as sytë me të. Nuk është as i pijshëm, as për përdorim,” shprehen disa qytetarë, ndërsa të tjerë akuzojnë Ujësjellës-Kanalizimet për mungesë transparence dhe menaxhim të dobët, pasi ende nuk janë publikuar oraret zyrtare të furnizimit me ujë.
Ironikisht, ndërkohë që qyteti përballet me mungesë ekstreme uji, në rezervuarin e Bovillës ka rezerva të larta. Problemi, sipas kritikave të fundit nga autoritetet qendrore, nuk është mungesa e burimeve, por paaftësia për të menaxhuar shpërndarjen.
Ndërsa ndërmarrja përgjegjëse nuk ofron zgjidhje konkrete, qytetarët paralajmërojnë se durimi po mbaron dhe se jeta me bidona nuk është më një zgjidhje, por një dështim i vazhdueshëm i sistemit.