Një episod që të kujton skenat e filmave aksion është shënuar mbrëmjen e sotme në Lezhë, ku një automjet u grabit në mënyrë të befasishme në një parkim pranë një lavazhi, në dalje të qytetit.
Sipas informacioneve paraprake, drejtuesi i mjetit kishte ndaluar për pak minuta, por kur u kthye, makina kishte zhdukur pa lënë gjurmë. Menjëherë ai njoftoi policinë, e cila reagoi me shpejtësi duke organizuar postblloqe në disa akse kryesore dhe nisur ndjekjen e autorit.
Pas një operacioni të shpejtë dhe të koordinuar, uniformat blu arritën të lokalizojnë automjetin e vjedhur në superstradën Lezhë-Milot, pranë fshatit Gajush. Autori i dyshuar u kap në flagrancë dhe u shoqërua në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë për veprime të mëtejshme.
Burime nga policia bëjnë me dije se po vijojnë hetimet për të zbuluar rrethanat e plota të ngjarjes, si dhe për të verifikuar nëse personi i arrestuar është i përfshirë në vjedhje të tjera të ngjashme.