Në raftet e marketeve shqiptare po bëhet gjithnjë e më e vështirë të kuptosh nëse po blen ushqim apo “surprizë”. Rasti i fundit: një paketim me fruta të thata të firmës “Krik Krak”, ku etiketa është aq e “qartë” sa nuk shihet as data e skadencës. Një detaj i vogël, apo jo? Vetëm që ky “detaj” mund të bëjë diferencën mes një snack-u të shëndetshëm dhe një eksperimenti kimik me stomakun e qytetarëve.
Duket sikur prodhuesit kanë zbuluar recetën magjike të përjetësisë: produkte që nuk skadojnë kurrë! Për fat të keq, në vend që të fitojnë çmimin “Nobel për shkencë”, fitojnë vetëm indinjatën e konsumatorëve.
Dhe ndërkohë që qytetarët përpiqen të lexojnë me lupë datën e fshirë, AKU, institucioni që duhet të mbrojë konsumatorin, duket se ka hyrë në një “detox informativ”: nuk sheh, nuk dëgjon, nuk kontrollon. Ndoshta janë shumë të zënë duke analizuar etiketa në zyrë me ndonjë kafe të nxehtë, ndërsa produktet pa skadencë qarkullojnë lirshëm në treg.
Në fund të ditës, pyetja mbetet: A është “Krik Krak” emri i markës, apo tingulli që bën barku i konsumatorit pasi e ha?