UEFA ka hapur një procedurë hetimore ndaj Juventusit për mundësinë e tejkalimit të rregullave të Fair Play Financiar, konkretisht të parametrave të quajtur Football Earning Rule. Hetimi përfshin periudhën nga sezoni 2022/2023 deri në 2024/2025.
Në njoftimin zyrtar, klubi bardhezi sqaroi se më 18 shtator është njoftuar nga UEFA për nisjen e kësaj procedure, e cila lidhet me dyshimet se Juventusi mund të mos ketë respektuar kufirin prej 60 milionë euro humbje të lejuara gjatë periudhës në fjalë.
Megjithatë, sipas klubit, parametri tjetër i rëndësishëm i Fair Play Financiar – Squad Cost Ratio – është respektuar si në vitin 2024, ashtu edhe në parashikimet për vitin 2025.
“Bazuar në të dhënat aktuale të të ardhurave dhe shpenzimeve, Grupi parashikon ta respektojë këtë parametër edhe për vitin kalendarik 2025, në mungesë të ngjarjeve të jashtëzakonshme,” thuhet në deklaratën e Juventusit.
Rezultati i hetimit pritet të dalë në pranverën e vitit 2026 dhe, sipas rregullores së UEFA-s, mund të çojë në një gjobë financiare ose në kufizime sportive – si ndalimi për të regjistruar një numër të caktuar lojtarësh në garat evropiane.
Kjo është një tjetër çështje e ndjeshme për Juventusin, i cili ka kaluar në vite të fundit përballje të vazhdueshme me organet sportive dhe financiare për çështje të bilanceve dhe menaxhimit ekonomik.