Media kryesore sportive serbe “Kurir” nuk ka kursyer aspak kritika ndaj përfaqësueses së tyre kombëtare, pas ndeshjes ndaj Andorrës. Edhe pse Serbia arriti të marrë një fitore në letër të lehtë, performanca e skuadrës u cilësua si “e mjerueshme” nga mediat e vendit fqinj.
Sipas “Kurir”-it, loja e Serbisë ishte pa frymë, pa ide dhe pa asnjë shkëndijë futbolli:
“Loja e kombëtares serbe nuk ngjante me asgjë – pa kokë e bisht, pa krijim, rrjedhje të topit, energji, dëshirë... Pavarësisht faktit se Dragan Stojkoviç u largua nga pozicioni i trajnerit pas turpit ndaj Shqipërisë. Është e dhimbshme të shikosh ekipin kombëtar serb, sepse shkakton reagim te çdo tifoz futbolli dhe nuk është shumë i përshtatshëm për publikun.”
Kritika që bie mbi lojën dhe shpirtin e ekipit duket se reflekton zhgënjimin e madh të opinionit sportiv në Serbi, që pas dështimeve të njëpasnjëshme kërkonte një reagim ndryshe. Por, as me trajnerin e përkohshëm Zoran Mirkoviç, gjërat nuk duket se kanë ndryshuar.
Kjo tablo e zymtë bën të kuptohet se shpresat për vendin e dytë në Grupin K janë thuajse të shuara, ndonëse në lojë mbeten edhe dy ndeshje për kualifikueset e “Botërorit 2026”.
Në Beograd, fitorja ndaj Andorrës nuk u prit me entuziazëm – përkundrazi, u përjetua si një tjetër sinjal alarmi për një kombëtare që ka humbur identitetin e saj në fushë. Dhe nëse diçka e ka fituar Serbia nga kjo ndeshje, ajo është vetëm vala e kritikave që vjen nga vetë mediat e saj.