Ditën e sotme, Drejtori i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, ka akorduar certifikata për Shërbime të Dalluara për 6 punonjës të Policisë së Shkodrës, për angazhimin e tyre në operacionin që çoi në arrestimin e Ragip Gilajt, i cili vrau 2 persona dhe plagosi 2 të tjerë mëngjesin e 8 shtatorit.
Punonjësit e Forcave të Posaçme “Shqiponja” dhe ata të Seksionit të Rendit Publik të Komisariatit të Shkodrës u pritën në një ceremoni në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, ku Proda u dorëzoi personalisht çertifikatat me motivacionin: “Për merita të veçanta, profesionalizëm dhe përkushtim në përmbushjen e detyrave, si dhe kontribut të çmuar në shërbim të Policisë së Shtetit gjatë viteve të punës.”
Në ceremoni ishin të pranishëm edhe Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, Drejtues Gentian Berberi, si dhe drejtues të tjerë të lartë nga strukturat qendrore.
Megjithatë, ceremonia e organizuar mes duartrokitjeve dhe fotografive për rrjetet sociale nuk ka kaluar pa polemika. Më herët, JOQ Albania raportoi një denoncim publik nga avokatja Brunilda Jaho, e cila pretendon se klienti i saj, një efektiv i forcave “Shqiponja” në Shkodër, është përjashtuar padrejtësisht nga vlerësimi, pavarësisht se, sipas saj, kishte luajtur një rol kyç dhe kishte rrezikuar jetën gjatë arrestimit të Gilajt.
Avokatja e konsideron përjashtimin një formë hakmarrjeje institucionale, pasi efektivi ka denoncuar më herët abuzime të drejtuesve të Policisë së Shkodrës pranë AMP-së, Sindikatës së Policisë, si dhe në instanca më të larta si Ministri i Brendshëm dhe Kryeministri.
Por përveç përjashtimit të efektivit, JOQ ka siguruar edhe një prej certifikatave të shpërndara sot, ku vërehet një "lapsus" i dukshëm në datë. Në dokument shkruhet: “Tiranë, më 18 shtator 2025”, ndërkohë që data e sotme është 16 tetor 2025.
Ky gabim ka kaluar pa u vënë re nga zyrtarët e punonjësit e policisë, pavarësisht se ceremonia u zhvillua në nivel të lartë dhe u dokumentua me kujdes për rrjete sociale në një kohë kur vendi përballet çdo ditë me ngjarje të rënda kriminale, përfshirë vrasje, plagosje dhe aksidente të shumta.