Një tragjedi e mundshme është shmangur mbrëmjen e sotme në Valias, ku një kamion këputi telat e korrentit që punonjësit e “OSHEE-së” i kishin lënë të varura pak metër sipër asfaltit.
Dëshmitarët treguan për JOQ Albania se në momentin që kamioni kaloi, pjesa e sipërme kapi telat duke i këputur. “Përveçse rrezikoi jetën e tij shoferi, rrezikuan jetën dhe dy djem të rinj që ishin në rrugë. Kur u këput teli lëshoi shkëndia dhe ra pranë atyre djemve, për pak vdi*ën,” thotë një qytetar.
Në pamje duket se si teli ka rënë në mes të rrugës, ndërsa incidenti ka dëmtuar dhe kabinën elektrike.
Raste të tilla janë këmbanë alarmi për qytetarët, pasi dëshmojnë se rreziku është i pranishëm çdo herë, qoftë edhe kur je duke kaluar anësh rrugës për qejfin tënd. OShEE duhet të marrë masat e nevojshme për të garantuar sigurinë dhe jetën e qytetarëve në raste të ngjashme, duke kryer matjet e nevojshme në momentin e instalimeve elektrike.
Ngjarja ndodh vetëm disa javë pasi në qytetin e Durrësit, një burrë humbi jetën për faj të neglizhencës së “OShEE” dhe Bashkisë Durrës, të cilët nuk i morën parasysh paralajmërimet e qytetarëve për izolimin e disa telave elektrikë në një shtyllë ndriçimi.