Policia në Maliq ka proceduar penalisht tre të rinj nga fshati Libonik, të cilët u kapën në flagrancë duke kryer gjueti të paligjshme gjatë natës, në kundërshtim me moratoriumin në fuqi. Të rinjtë u ndaluan nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Maliq në vendin e quajtur “Burimi i Selcës”, ku iu gjet një lepur i egër i vrarë me armë gjahu.
Në pranga nuk përfundoi askush, por të tre personat: D. A., 31 vjeç, banues në Maliq, si dhe L. D., 20 vjeç dhe M. T., 23 vjeç, banues në Libonik, u proceduan penalisht në gjendje të lirë. Ata akuzohen për “Keqtrajtimin e kafshëve”, vepër penale që lidhet me shkeljen e ligjeve për mbrojtjen e faunës së egër.
Sipas njoftimit të policisë, gjatë kontrollit u sekuestruan një armë gjahu, municion luftarak, një elektrik dore dhe një automjet, që dyshohet të jenë përdorur në veprimtarinë e paligjshme.
Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë së Korçës për veprime të mëtejshme. Policia thekson se kontrollet për ndalimin e gjuetisë së paligjshme do të vijojnë në të gjithë qarkun, në kuadër të zbatimit të planit të masave për mbrojtjen e faunës dhe natyrës.
Moratoriumi i gjuetisë, i vendosur për të mbrojtur biodiversitetin dhe për të rikuperuar popullatat e kafshëve të egra në vend, ndalon rreptësisht çdo formë gjuetie në territorin shqiptar. Shkelja e tij përbën vepër penale dhe ndëshkohet sipas ligjit.