Rey Manaj ka qenë njeriu i mbrëmjes në sfidën e madhe ndaj Serbisë, duke i dhënë Shqipërisë një fitore historike me golin e vetëm të takimit. Sulmuesi lushnjar pranoi se askush në ekip nuk e kishte menduar një sukses të tillë në një transfertë kaq të vështirë, ndërsa theksoi se goli i tij kishte më shumë rëndësi për rezultatin sesa për statistikat personale.
“Edhe nëse nuk do e shënoja unë, po ta bënte dikush tjetër, do isha po njësoj i lumtur. E rëndësishme është që morëm tre pikët dhe shkruam historinë,” tha Manaj për FSHF, duke vlerësuar kontributin e të gjithë skuadrës, pa dallim se kush luajti apo jo.
Lidhur me gjestin e festës me shqiponjë, Manaj shpjegoi se ishte një reagim i natyrshëm i momentit dhe jo një provokim i qëllimshëm. “Ishte emocion, jo plan. Nuk e bëra për t’i provokuar ata, por sepse ndjeva krenari” tha ai. Shqipëria është pranë play-off-it dhe synon kualifikimin në Botërorin 2026, me dy finale përpara në nëntor ndaj Andorrës dhe Anglisë.