Leonard Nikolli, 61 vjeç, është shoqëruar në Komisariatin nr. 3 në Tiranë, pasi dyshohet se ka kërcënuar me jetë drejtorin e IMT Tiranë, Klajdi Meçi. Ngjarja ka ndodhur dje, kur Nikolli ka hyrë në ambientet e institucionit dhe ka kërkuar me ngulm të takohej me drejtuesin. Sipas dëshmisë së Meçit, 61-vjeçari është shprehur me tone kërcënuese: “Ku është Klajdi. Ja tregoj unë atij do e vras si gjyqtarin Klaja”.
Sipas deklarimeve të dhëna para policisë, konflikti ka nisur për një objekt ndërtimi, për të cilin Nikolli pretendon se ka një vendim gjykate që urdhëron prishjen e tij. Ndërkohë, drejtori Meçi ka sqaruar se objekti në fjalë ka sigurim padie të miratuar nga gjykata, çka sipas ligjit ndalon çdo veprim prishjeje derisa çështja të zgjidhet përfundimisht. Përplasja verbale ka agravuar në kërcënime serioze, duke ngritur dyshime për rrezikshmëri të lartë nga 61-vjeçari.
Ngjarja ndodh vetëm pak ditë pas vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja në një sallë gjyqi në Shkodër, ku autori Elvis Shkambi kreu krimin pas një mosmarrëveshjeje për një çështje pronësie. Referenca e Nikollit ndaj këtij rasti ka shtuar shqetësimet për sigurinë e zyrtarëve publikë dhe klimën e tensionuar lidhur me konfliktet për pronat në vend. Policia po vijon hetimet nëse Nikolli kishte armë me vete në momentin e incidentit.