Një mesazh plot emocion ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania nga një i ri, që sot është një nga shqiptarët më të ndjekur në rrjetet sociale në mbarë botën.
Sylë Matoshi, një 30-vjeçar shqiptar nga Tropoja me një talent të jashtëzakonshëm, i cili është promovuar që në fillimet e tij nga JOQ Albania e sot numëron miliona ndjekës në rrjete sociale dhe miliona shikime në videot ku shfaq talentin e tij, ka dërguar një video të veçantë ku përshëndet dhe falenderon të gjithë shqiptarët anembanë botës.
Në pamjet që ka ndarë me ne, ai shfaqet duke realizuar trickshots spektakolare me topin, me saktësi dhe kreativitet të jashtëzakonshëm, ndërsa përdor edhe flamurin kuqezi në lëvizjet e tij spektakolare.
Në video shihet duke gjuajtur topin nga distanca të ndryshme dhe duke e vendosur me përpikmëri në objektiva të vështirë, ndërkohë që lëvizjet e tij janë të sinkronizuara dhe të përpikta.
Në mesazhin e tij drejtuar redaksisë sonë, ai shkruan:
“JOQ, ju keni qenë ndër të parët që më keni mbështetur në fillimet e mia dhe dua t’ju falënderoj nga zemra dhe t’ju përshëndes me këtë video, ju dhe të gjithë shqiptarët anembanë botës! Zoti i bashkoft trojet Shqiptare ”
Sylë Matoshi është një talent shqiptar që ka pushtuar rrjetet sociale me trickshots të pabesueshme, ku kombinon futbollin, basketbollin dhe saktësinë e jashtëzakonshme në mënyra që të lënë pa fjalë.
Faqe botërore si “433”, “9GAG”, “WorldStar”, “SportsCenter” dhe shumë të tjera kanë publikuar videot e tij, duke e kthyer në një emër të njohur globalisht.
Në një intervistë të mëparshme, ai ka treguar se pasioni për futbollin i nisi që në moshën 5-vjeçare, duke luajtur fillimisht në Shqipëri me Partizanin dhe Tiranën, më pas në Angli me ekipin e të rinjve të Norwich City, dhe në Suedi me Lidingo, Djurgården dhe AIK Stockholm.
Por kur nuk arriti të depërtojë në futbollin profesionist për shkak të mungesës së mbështetjes, Syla gjeti një mënyrë tjetër për të shkëlqyer, duke shndërruar pasionin e tij në art dhe frymëzim.
“Pa dështime nuk do isha ky që jam sot,” shprehet ai.
Sot, videot e tij shihen nga miliona njerëz në mbarë botën, duke treguar se talenti shqiptar mund të ndriçojë kudo.