Plot 461 mijë shqiptarë jetojnë në kufi të varfërisë, duke mbijetuar me më pak se 27 mijë lekë në muaj, kjo është tabloja që jep INSTAT për vitin 2024.
Sipas të dhënave zyrtare, 19,2% e popullsisë është në rrezik për të qenë e varfër, megjithëse treguesi ka pësuar një rënie të lehtë krahasuar me një vit më parë. Për ta thënë ndryshe, një në pesë shqiptarë jeton sot me më pak se minimumi jetik.
Kufiri që ndan varfërinë nga mbijetesa është llogaritur në 324 mijë lekë në vit për një person. Në 2023 ky nivel ishte 262 mijë lekë, një rritje që tregon më shumë inflacion sesa përmirësim të jetesës.
Në raport theksohet se varfëria në vend do të ishte edhe më e lartë pa pensionet dhe ndihmat sociale, të cilat mbajnë gjallë dhjetëra mijëra familje. Sipas INSTAT, pa këto përfitime, 36,7% e shqiptarëve do të ishin në rrezik për të qenë të varfër.
Në terren, diferenca është e dukshme: familjet me fëmijë në varësi janë shumë më të ekspozuara ndaj mungesës së të ardhurave. Në total, 6.942 familje morën pjesë në anketim, ndërsa mesatarja e të ardhurave për frymë në vend vlerësohet në 51.122 lekë në muaj.
Pavarësisht përmirësimeve në letër, realiteti mbetet i zymtë për mijëra njerëz që çdo ditë përballen me pyetjen më të rëndë: si mund të jetosh me 27 mijë lekë në muaj në Shqipërinë e vitit 2025?