Një lajm i trishtë ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania. Ka ndërruar jetë në moshën vetëm 27-vjeçare Oksana Kerpi, nënë e dy fëmijëve të vegjël, pas një beteje të gjatë dhe të dhimbshme me një tumor agresiv.
Prej tre vitesh, Oksana luftoi me gjithë forcën e saj për jetën, duke u trajtuar në Itali, në Tiranë dhe kudo ku ekzistonte një grimë shprese për shërim. Por pavarësisht përpjekjeve, ajo fatkeqësisht e humbi sot betejën me sëmundjen.
Pas vetes, ajo lë dy fëmijë të mitur, vetëm 5 dhe 6-vjeç, të cilët tashmë mbeten pa përqafimin e nënës së tyre.
Lajmin e hidhur e ka dhënë vetë i ati në rrjete sociale:
“Me hidhërim të thellë njoftoj për ndarjen nga jeta të vajzës sime, Oksana Kerpi. Varrimi bëhet në orën 11:00 të datës 16 tetor, në fshatin Lekdush.”
Edhe të afërmit e saj kanë shpërndarë mesazhe prekëse, ku shprehin dhimbjen për humbjen e një vajze të dashur për të gjithë:
“Kur nuk gjen dot fjalë ngushëlluese… vdekjet pa radhë helmojnë shpirtin. Ike kaq shpejt o bijë, i helmove prindërit, le pas dhimbje për një krahinë të tërë. U prehtë në paqe shpirti yt, bija jonë.”
Dy vite më parë, JOQ Albania publikoi apelin e familjarëve të saj për ndihmë, në përpjekje për ta dërguar Oksanën jashtë vendit për trajtim.
“Motra ime vuan nga një tumor malinj. Duhet ta çojmë jashtë për kurim, por nuk i përballojmë dot shpenzimet. Ju lutem, ndihmoni sado pak,” — ishte apeli i motrës së saj në atë kohë.
Sot, ajo vajzë që dikur u mbajt gjallë nga shpresa dhe dashuria për fëmijët, nuk është më. Ngushëllime të sinqerta familjes Kerpi për këtë humbje tragjike. U prehtë në paqe shpirti i saj i bukur. 🕊
