Janë zbardhur detaje të reja nga ngjarja e rëndë që tronditi sistemin e drejtësisë më 6 tetor 2025, ku gjyqtari i Apelit, Astrit Kalaja, u ekzekutua me armë zjarri brenda sallës së gjyqit nga Elvis Shkambi, 30 vjeç. Dëshmia e sekretares së tij, Xh.K., hedh dritë mbi momentet e tmerrit dhe mënyrën se si ndodhi ekzekutimi në sy të saj.
Sipas rrëfimit të sekretares, gjithçka nisi si një seancë e zakonshme për shpallje vendimi. “Rreth orës 15:35 kam bërë thirrjen për hapjen e seancës gjyqësore. Në sallë u paraqitën paditësi Ragip Kurtaj me djalin e tij dhe nga pala tjetër, Gjon Shkëmbi me një person që më vonë mësova se quhej Elvis Shkëmbi,” dëshmon ajo.
Pas verifikimit të identitetit të palëve, gjyqtari Kalaja shpalli vendimin duke lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë dhe shpalli të mbyllur seancën. Në atë moment, paditësi dhe djali i tij dolën të parët nga salla.
“Më pas, gjyqtari u ngrit për të shkuar drejt dhomës së këshillimit. Gjon Shkambi po dilte nga dera, ndërsa Elvis Shkambi u afrua para podiumit dhe e qëlloi gjyqtarin me armë. Unë u ngrita në këmbë, e shokuar. Ai u kthye nga unë dhe më tha se ‘nuk ka gjë me ty’, pastaj u kthye sërish nga gjyqtari dhe qëlloi përsëri ndaj tij,” ka deklaruar sekretarja.
Pas të shtënave të dyta, ajo është fshehur poshtë tavolinës, duke dëgjuar rënkimet e gjyqtarit. “Ndërsa isha ulur, dëgjova hapat e rojes së gjykatës, i cili pyeti çfarë kishte ndodhur. I thashë se kishin vrarë gjyqtarin. Dola në korridor dhe bërtita ‘njoftoni ambulancën’,” rrëfen ajo.
Sekretarja më pas është rikthyer në sallë me një punonjëse tjetër të gjykatës për të ndihmuar gjyqtarin. “Ajo solli një peshqir dhe i vumë presion plagës që kishte në ijen e majtë, por gjyqtari nuk reagonte më,” shton ajo, e tronditur.
Sipas dëshmisë, trupi i gjyqtarit ishte i shtrirë përgjysmë në sallë dhe përgjysmë në dhomën e këshillimit, në një skenë që përshkruan qartë panikun dhe brutalitetin e momentit.
Autori i ngjarjes, Elvis Shkambi, u arrestua pak pas atentatit, ndërsa xhaxhai i tij, Gjon Shkambi, është ndaluar si nxitës në krim. Ngjarja ka shkaktuar tronditje të thellë në opinionin publik dhe ka ngritur sërish pikëpyetje për sigurinë në institucionet e drejtësisë.