Largimi nga Interi rezultoi të ishte pikërisht ajo që i duhej Kristjan Asllanit. Mesfushori i Kombëtares shqiptare, që këtë verë zgjodhi të bashkohej me Torinon, po e justifikon plotësisht këtë hap. Në radhët e torinezëve, ai po gjen atë që i mungonte në “San Siro”: minuta, besim dhe një rol kyç në formacion.
Asllani është shndërruar në një titullar të palëkundur në mesfushën e Torinos, duke qenë ndër më të spikaturit në ndeshjet e fundit. Në një intervistë për mediat italiane, ai foli me maturinë e një lojtari që e ka kuptuar se ndonjëherë karriera kërkon edhe zgjedhje të guximshme.
“Në Romë ndaj Lacios bëmë një ndeshje shumë të fortë. Më vjen keq që morëm vetëm një barazim, sepse meritonim më shumë. Torino është rikthyer në nivelin që i takon, një skuadër që lufton për gjëra serioze,” – tha mesfushori kuqezi, duke theksuar se grupi është i bashkuar dhe me mentalitet fitues.
Sa i përket periudhës së tij te Interi, Asllani nuk e fshehu respektin, por pranoi se largimi ishte zgjidhja e duhur:
“Më vjen keq sepse lashë djem fantastikë dhe një klub të madh, por ishte më mirë për të gjithë të ndryshonim. Jam shumë i lumtur në Torino, këtu ndjej dashuri dhe besim. Më kanë pritur në mënyrë të mrekullueshme.”
Për konkurrencën që kishte dikur me Brozoviçin dhe Çalhanoglun, Asllani tregohet realist:
“Kisha vështirësi, sepse ata ishin gjithmonë përpara. Por kjo më ndihmoi të piqem. Jam i kënaqur me rrugëtimin tim dhe tani është detyra ime të jap më të mirën çdo ndeshje.”
Në Torino, Asllani duket se ka gjetur jo vetëm vendin e duhur për të treguar vlerat e tij, por edhe qetësinë që kërkon çdo futbollist për t’u zhvilluar. Dhe me ritmin që po mban, duket se mesfusha kuqezi e ka tashmë një lider të pjekur për sfidat e mëdha që e presin.