Prej pesë ditësh, në rrugën “Agush Gjergjevica” në Tiranë, një defekt në rrjetin e ujësjellësit ka shkaktuar rrjedhje të vazhdueshme uji, duke sjellë jo vetëm shqetësime për banorët, por edhe rrezik për infrastrukturën. Pavarësisht situatës së rënduar, asnjë ndërhyrje nuk është kryer deri më tani nga autoritetet përkatëse.
Banorët e zonës pohojnë se e kanë njoftuar mbi 20 herë UKT-në e Skerdi Drenovës për problemin, por askush nuk ka ardhur në terren për ta zgjidhur. Uji që vazhdon të rrjedhë ka përmbytur trotuaret dhe ka krijuar vështirësi në lëvizje për këmbësorët dhe automjetet.
Ata i bëjnë apel institucioneve për përgjegjësinë që kanë ndaj komunitetit, duke kërkuar ndërhyrje të menjëhershme për të ndalur dëmtimin e mëtejshëm dhe për të parandaluar pasoja më të rënda. Neglizhenca, sipas tyre, është e papranueshme për një problem kaq serioz dhe të raportuar në mënyrë të përsëritur.
Denoncimi i qytetarit:
Përshëndetje! Tek rruga “Agush Gjergjevica” ka plasur uji prej 5 ditësh dhe askush nuk është kujdesur ta rregullojë. Kemi njoftuar UKT-në mbi 20 herë, por ende nuk ka ardhur asnjë ekip për ta zgjidhur problemin. Ju lutem, të ndërmerrni masa sa më shpejt!