Një situatë shqetësuese ka dalë në dritë në një nga marketet e qytetit, ku produktet e skaduara vijojnë të shiten si asgjë të keqe. Një qytetar raportoi se ka blerë sot, 15 tetor, një kos lufrë që kishte skaduar që dje, më 14 tetor.
E habitshme është mungesa totale e përgjegjësisë nga ana e punonjësve të marketit të cilat duhet ta heqin produktin të paktën 3 ditë para. Kjo sjellje jo vetëm që cenon sigurinë e konsumatorëve, por tregon edhe një papërgjegjshmëri alarmante ndaj standardeve minimale të shitjes së ushqimeve në marketet e vendit tonë.
Nga ana tjetër, inspektorati i AKU-së duket se vijon të "flej gjumë", duke mos reaguar ndaj shkeljeve të tilla flagrante që rrezikojnë shëndetin publik. Konsumatorët, të pafajshëm, përballen me rrezikun e konsumimit të produkteve të prishura, ndërkohë që autoritetet mbeten pasive.
Kjo nuk është vetëm një “mospërgjegjshmëri”, është një dështim i rëndë i misionit publik. Kur AKU hesht, ajo toleron rrezikun për shëndetin publik. Kur AKU nuk inspekton, tregu bëhet 'pis', kur AKU nuk ndëshkon, bizneset mësojnë se shkeljet kalojnë pa kosto.
Është koha që institucionet përgjegjëse të ndërhyjnë menjëherë, të bëjnë kontrolle reale dhe të vendosin masa ndaj atyre që shkelin ligjin. Deri atëherë, qytetarët duhet të jenë jashtëzakonisht të kujdesshëm, sepse çfarë duhet të ishte një blerje e thjeshtë ushqimore mund të kthehet në një rrezik të vërtetë për shëndetin.