Vdekja e 3-vjeçarit pas anestezisë në klinikën e Roland dhe Ina Xhaxho! Brianit nuk iu bë grafia, u trajtua për 14 dhëmbë

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 15.10.2025, 15:28

Dosja e vdekjes së 3-vjeçarit Brian Spahiu pas një ndërhyrjeje dentare në klinikën e mjekut Roland Xhaxho dhe vajzës së tij, Ina Xhaxho, ka zbardhur hollësisht ngjarjen tragjike. Sipas dokumenteve, fëmijës nuk i është bërë asnjë grafi para ndërhyrjes, ndërsa prindërit janë konsultuar vetëm fillimisht me stomatologen Ina Xhaxho. Për shkak të bashkëpunimit të dobët të Brianit, ai është anestezuar me një qetësues dhe më pas është futur në anestezi totale për një ndërhyrje që zgjati disa orë, gjatë së cilës i janë trajtuar 14 dhëmbë, shumë më tepër se dy të parashikuarit fillimisht.

Nga dëshmitë e familjarëve rezulton se ndërhyrja është kryer fillimisht nga Ina Xhaxho, por më pas është vazhduar nga një tjetër dentiste e punësuar në klinikë, Marta Gina, për të cilën prindërit nuk kishin dijeni dhe as kontakt paraprak. Mjekët Roland dhe Ina Xhaxho kanë garantuar familjen se anestezia e përdorur është e lehtë dhe e sigurt për fëmijët e vegjël, dhe kanë bërë pagesat për ndërhyrjen dhe anestezinë pa dhënë dokumentacion zyrtar për shpenzimet.

Pas përfundimit të ndërhyrjes dhe daljes nga klinika, Brian është nxjerrë në gjendje të rënduar, i përgjumur dhe pa reagim normal. Familjarët kanë vërejtur se djali kishte duart, këmbët dhe hundën të ftohta, ndërsa temperatura i është rritur gradualisht. Megjithë përpjekjet e familjes për t’u kontaktuar me mjekët në rast urgjence, telefonat e tyre nuk kanë marrë përgjigje, dhe rreth orës 23:00 Brian është dërguar në Spitalin e Pediatrisë në QSUT, ku ka ndërruar jetë.

Hetimet kanë zbuluar se prindërit, bashkë me gjyshin Guri Spahiu dhe kunatin, kanë ndjekur nga afër gjithë procesin, duke u përballur me mungesë transparence dhe informacione kontradiktore nga mjekët. Dosja përmban deklaratat e familjarëve dhe detaje të plota nga konsultimet, pagesat, anestezia dhe gjendja e fëmijës para dhe pas ndërhyrjes, duke ngritur shumë pyetje mbi sigurinë dhe përgjegjësinë e stafit mjekësor në këtë rast tragjik.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit