Banorët e lagjes Donika Kastrioti në qytetin e Beratit denoncojnë një situatë problematike që po zgjat prej më shumë se 4 muajsh. Sipas tyre, rruga kryesore e lagjes është prishur me premtimin se do të shtrohej e re, por që prej asaj kohe nuk është bërë asnjë ndërhyrje nga autoritetet për ta përfunduar punën. Gjendja aktuale po krijon vështirësi në lëvizjen e qytetarëve dhe mjeteve, sidomos në ditë me reshje.
Lagjja, e cila numëron një popullsi të konsiderueshme, duket se është lënë pas dore në krahasim me pjesë të tjera të qytetit. Sipas denoncimit të banorëve, Donika Kastrioti është ndër të paktat zona urbane të Beratit ku nuk është kryer asnjë investim në infrastrukturë, as në rrugë dhe as në rikonstruksionin e pallateve. Ata shprehen të zhgënjyer nga mungesa e vëmendjes institucionale dhe nga premtimet e pambajtura.
Banorët i bëjnë thirrje Bashkisë Berat dhe institucioneve përgjegjëse të marrin masa të menjëhershme për të përfunduar rrugën dhe për të rikthyer normalitetin në lagje. Ata shpresojnë që, përmes denoncimit publik, të nxisin reflektim dhe veprim konkret nga autoritetet, për të përmirësuar kushtet e jetesës në këtë zonë të neglizhuar.
Denoncimi i qytetarit:
Përshëndetje JOQ! Kjo situatë ka 4 muaj në lagjen Donika Kastrioti të qytetit të Beratit. E prishën rrugën me arsyetimin që do të shtrohej e re, por e kanë lënë kështu prej 4 muajsh pa asnjë ndryshim. Është një nga lagjet me më shumë popullsi në qytetin e Beratit dhe mund të jetë nga të paktat vende ku nuk është bërë asnjë përmirësim. Ju lutem, merreni në konsideratë këtë shqetësim, ndoshta falë jush fillon ndonjë ndryshim. Është e vetmja lagje ku as rruga dhe as pallatet nuk janë rikonstruktuar.