Varrezat në Elbasan bëhen çorapë, bashkia s’kujtohet për to

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 15.10.2025, 14:23

Një ngjarje e paprecedentë po ndodh në varrezat e Elbasanit, ku qetësia e të ndjerëve po shkelet çdo ditë nën sytë e një bashkie që sillet sikur nuk sheh, nuk dëgjon dhe nuk di asgjë. Ndërsa firmat private shëtisin mes varreve, bëjnë punime pa asnjë ndjeshmëri e kujdes, bashkia rri e heshtur si të mos ishte përgjegjëse për asgjë.

Varrmihësit po bëjnë punën e tyre; ata hapin dhe mbyllin varre, siç e kërkon detyra. Por ajo që po ndodh përtej kësaj është turp institucional. Punime pa kontroll, ndërtime që prishin varret, mungesë pastrimi, rrëmuja që s’ka emër. Dhe përballë gjithë kësaj, bashkia bën sikur çdo gjë është në rregull.

Në vend që të mbrojë prehjen e atyre që kanë lënë këtë botë, bashkia është kthyer në simbol të neglizhencës dhe interesave të errëta. Askush nuk pyet për ndjesinë e familjarëve, që shkojnë për të vendosur një tufë lule dhe përballen me zhurmën e makinerive dhe shkatërrimin përreth.

Në këtë qytet, duket se as varret nuk kanë më qetësi. Sepse aty ku bashkia humbet dinjitetin e vet, as të gjallët, as të vdekurit nuk mund të gjejnë paqe. Bashkia e Elbasanit duhet të japë llogari , jo me deklarata zbukuruese, por me veprime konkrete: të ndalojë çdo ndërhyrje të paligjshme, të verifikojë çdo firmë që ka futur duart në varreza dhe të rikthejë respektin e munguar.

Nuk janë firmat faji i vetëm; faji i vërtetë qëndron te pushteti vendor që hesht, te zyrtarët që mbyllin njërin sy dhe hapin xhepin. Në një vend ku edhe qetësia e të vdekurve shitet për tender, Elbasani po humbet jo vetëm moralin, por edhe shpirtin.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit