Sekuestrimi i mjeteve elektrike, Policia Rrugore: Do i mbajmë 30 ditë, sa të bëhet gati ligji

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 15.10.2025, 11:28

Ditën e sotme një grup qytetarësh janë mbledhur përpara Komisariatit të Policisë Rrugore në Tiranë, në zonën e Kinostudios, për të protestuar lidhur me sekuestrimin e monopatinave, motorëve dhe biçikletave elektrike.

Qytetarët e kanë konsideruar të paligjshëm këtë aksion duke deklaruar se mjetet elektrike, shumë prej tyre të shfrytëzuara për punë pasi shmangin trafikun dhe ulin shpenzimet, janë sekuestruar mbi bazën e një urdhri të shpërndarë vetëm në rrjetet sociale, pa një dokument zyrtar nga Ministria e Brendshme.

Në përgjigje të kësaj proteste qytetare, Policia Rrugore ka reaguar duke deklaruar se monopatinat e sekuestruara do të mbahen 30 ditë deri sa të rregullohet me ligj ndalimi dhe përdorimi i tyre.

Por kjo përgjigje, që duket sa për të shpërndarë protestuesit, nuk shpjegon se si do jetë ligji, cilën kategori përdoruesish prek, apo më kryesorja si do kthehen mjetet elektrike te pronarët e tyre kur gjatë sekuestrimit s'është mbajtur asnjë procesverbal për emrat apo llojin.

Duhet të kujtojmë se gjithçka çfarë ndodhi të hënën ishte thjesht terror, postoblloqe, ndalim, sekuestrim dhe mbushja e kamionçinave plot me mjete elektrike, pa dhënë asnjë shpjegim se ku do shkojnë, apo çfarë do ndodhë.

Qytetarët thonë se kjo situatë ka shkaktuar jo vetëm kosto financiare të pajustifikuara për ta, por edhe një shkelje të së drejtës për pronën private pasi i kanë blerë me lekët e tyre këto mjete për të lehtësuar sa më shumë qarkullimin në Tiranë, kryeqytetin e mbushur me kaos dhe trafik në çdo moment të ditës, apo ndonjëherë edhe natën.

Ata janë të vetëdijshëm për aksidentet e shtuara për shkak të këtyre mjeteve, por u kërkojnë autoriteteve ligje dhe rregullore për moshën e përdorimit apo edhe pajisjeve mbrojtëse, kaska, gjatë lëvizjes me to.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit