FMN ul parashikimin për rritjen ekonomike të Shqipërisë: “Më keq se sa prisnim një vit më parë”

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 14.10.2025, 20:42

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka ulur pritshmëritë për ecurinë e ekonomisë shqiptare në vitin 2025, duke parashikuar një rritje prej 3.4%, nga 3.8% që ishte në raportin e pranverës. Të dhënat janë përfshirë në raportin e fundit të Pasqyrës Ekonomike Globale (World Economic Outlook), publikuar nga selia e FMN-së në Uashington.

Ky vlerësim përbën një goditje për narrativën qeveritare mbi rritjen e qëndrueshme dhe menaxhimin e suksesshëm ekonomik, ndërkohë që vendet e rajonit po ecin më shpejt. Kosova pritet të arrijë një rritje prej 3.9%, ndërsa Maqedonia e Veriut dhe Serbia po afrohen ndjeshëm me ritmet e Shqipërisë.

FMN ngre gjithashtu shqetësime për inflacionin, që pritet të rritet në 2.3% në vitin 2025 dhe 2.8% në 2026. Ky kombinim i rritjes së çmimeve dhe ngadalësimit ekonomik shihet si një skenar i rrezikshëm për mirëqenien e qytetarëve dhe sfidues për politikat fiskale të qeverisë.

Raporti i FMN-së paralajmëron gjithashtu për rritjen e borxhit publik dhe kërkon shkurtim të shpenzimeve, sidomos në Europë, ku kostot po rriten për shkak të plakjes së popullsisë, sigurisë energjetike dhe mbrojtjes. Shqipëria, me një borxh ende të lartë dhe strukturë të brishtë të financave publike, përfshihet në këtë kategori të vendeve në rrezik.

“Nuk është aq keq sa kishim frikë, por është më keq se sa prisnim një vit më parë, dhe më keq se sa do të duhej,” – deklaroi kryeekonomisti i FMN-së, Pierre-Olivier Gourinchas, duke përshkruar atmosferën e zymtë që po mbizotëron në ekonominë globale.

Në nivel botëror, FMN ka përmirësuar lehtë parashikimin për rritjen globale në 3.2% për vitin 2025, nga 3% që ishte në korrik. Por rritja pritet të ngadalësohet sërish në 3.1% në 2026, për shkak të pasigurive afatgjata dhe presioneve nga protek­sionizmi dhe tarifat e reja amerikane, që tashmë po fillojnë të japin efektet e tyre.

Sipas raportit, përmirësimi i tanishëm i rritjes ekonomike globale vjen kryesisht nga faktorë të përkohshëm, si “furnizimi paraprak i bizneseve dhe konsumatorëve përpara hyrjes në fuqi të tarifave të reja” dhe “dobësimi i dollarit amerikan që ka favorizuar eksportet”.

FMN paralajmëron se, megjithëse afati i shkurtër duket i qëndrueshëm, pritshmëritë afatgjata mbeten të zbehta, ndërsa ekonomitë, përfshirë Shqipërinë, duhet të përgatiten për një periudhë me rritje më të ngadaltë dhe sfida fiskale më të mëdha.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit