Belgjika doli fituese me rezultatin 4-2 ndaj Uellsit në Cardiff të hënën mbrëma, por ajo që do të mbahet mend më shumë nga kjo ndeshje nuk ishte rezultati, por një “hyrje” e papritur në fushë.
Në minutën e 66-të, arbitri Daniel Siebert u detyrua të ndalonte lojën pasi një mi i vogël, por shumë energjik, depërtoi në fushë, duke e kthyer ndeshjen për pak çaste në një skenë komike.
Turma shpërtheu në të qeshura kur portieri belg, Thibaut Courtois, nisi një ndjekje të plotë serioziteti ndaj miut, pavarësisht dorezave të tij që nuk e ndihmonin aspak në “operacionin”. Brohoritjet u shtuan sa herë që ai afrohej, por brejtësi doli më i shkathët: i shpëtoi disa herë duarve të tij dhe përshkoi gjithë fushën nën ovacionet e publikut.
Në fund, “heroi lokal” rezultoi sulmuesi i Uellsit, Brennan Johnson, i cili arriti ta largonte miun nga fusha, duke i dhënë fund spektaklit që kishte zëvendësuar për disa minuta futbollin.
Ndërkohë, në aspektin sportiv, Belgjika me këtë fitore 4-2 dhe falë barazimit 1-1 mes Maqedonisë së Veriut dhe Kazakistanit në Shkup, mori kryesimin e grupit me një pikë më shumë dhe një ndeshje më pak. Tani “Djajtë e Kuq” janë në rrugën e duhur drejt kualifikimit për Kupën e Botës.