Ekzekutimi i gjyqtarit Kalaja: Arma gjermane dhe 31 fishekë në makinën e Gjon Shkambit

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 14.10.2025, 16:35

Prokuroria e Tiranës ka zbardhur të plotë dinamikën e vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja, i cili u ekzekutua me armë zjarri brenda sallës së gjyqit rreth një javë më parë, në një nga ngjarjet më të rënda që ka tronditur sistemin e drejtësisë në vend.

Sipas hetimeve dhe pamjeve të siguruara nga kamerat e sigurisë, në sallën nr. 3 të gjykatës hynë Gjon Shkambi dhe nipi i tij, Elvis Shkambi, si dhe Ragip dhe Ervis Kurtaj. Të katërt ndodheshin aty në lidhje me një proces gjyqësor që po shqyrtohej nga gjyqtari Kalaja.

Menjëherë pas shpalljes së vendimit, Elvis Shkambi nxori nga brezi një armë zjarri të llojit pistoletë dhe qëlloi disa herë në drejtim të gjyqtarit Astrit Kalaja, duke e lënë të vdekur në vend. Më pas, ai drejtoi armën ndaj Ragip dhe Ervis Kurtajt, të cilët tentuan të largoheshin nga salla, duke qëlluar në drejtim të tyre. Si pasojë, Ervis Kurtaj mbeti i plagosur në krahun e djathtë, ndërsa Ragip Kurtaj u dëmtua në brinjët e majta.

Policia ka sekuestruar armën e krimit, një pistoletë me mbishkrimin “Welt Waffen W. Germany, Cal.765 mm, Browning”. Gjatë këqyrjes u konstatua se arma kishte një fishek në fole të gatshëm për qitje dhe dy të tjerë në krehër.

Gjithashtu, në parkingun e Xhamisë së Namazgjasë u gjet automjeti tip “Mercedes Benz” me targa AA900AA, në pronësi të Gjon Shkambit. Gjatë kontrollit në mjet u zbuluan dhe sekuestruan 31 fishekë manovër kalibri 9 mm.

Hetimet për këtë ngjarje të rëndë vijojnë, ndërkohë që autoritetet po shqyrtojnë të gjitha pistat, përfshirë edhe mundësinë e një hakmarrjeje apo konflikt të mëparshëm. Ndaj Elvis Shkambit rëndon akuza për vrasje me paramendim dhe armëmbajtje pa leje, ndërsa autoritetet pritet të zgjerojnë hetimet për të përfshirë edhe persona të tjerë të dyshuar.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit