OBSH: Tre lloje shurupesh për kollën nga India shkaktuan vdekjen e fëmijëve

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 14.10.2025, 15:55

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka ngritur alarmin për tre lloje shurupesh për kollën të prodhuara në Indi, të cilat janë përgjegjëse për vdekjen e disa fëmijëve në këtë vend. Shurupet e identifikuara janë Coldrif, Respifresh TR dhe ReLife, të prodhuara nga kompanitë indiane Sresan Pharmaceutical, Rednex Pharmaceuticals dhe Shape Pharma. Testimet zbuluan nivele të larta të një kimikati toksik, dietilen glikol (DEG), që mund të shkaktojë dëme serioze në organizëm dhe vdekje, veçanërisht tek fëmijët.

Autoritetet indiane kanë reaguar menjëherë duke pezulluar licencat dhe duke ndaluar prodhimin e barnave nga këto kompani. Në shtetin e Tamil Nadu, ku ndodhet Sresan Pharmaceuticals, kompania u mbyll dhe u arrestua pronari, pasi hetimet treguan se të paktën 19 fëmijë në Madhya Pradesh kishin humbur jetën pas konsumimit të shurupit Coldrif. Gjithashtu, dy inspektorëve shtetërorë të barnave u janë hequr licencat për shkak të neglizhencës në inspektimet e nevojshme.

Ky nuk është rasti i parë që medikamentet indiane për kollën shkaktojnë tragjedi. Në vitin 2023, dhjetëra fëmijë në Gambia dhe Uzbekistan humbën jetën pas përdorimit të shurupeve të kontaminuara. OBSH deklaroi se deri më tani nuk ka prova për eksport të paligjshëm të këtyre produkteve, ndërsa nënvizoi se paralajmërimi erdhi pas raportimeve për raste të shumta të sëmundjeve akute dhe vdekjeve të fëmijëve në Indi që nga fundi i shtatorit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit