Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), e drejtuar nga Mirlinda Karçanaj, ka shpallur fitues kompaninë “Communication Progress” për një tender me vlerë 275 milionë lekë pa TVSH ose rreth 3.3 milionë euro me TVSH, për ndërtimin e Sistemit Informatik të Menaxhimit të Proceseve të Brendshme për Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve dhe institucionet vartëse.

Tenderi, me fond limit prej 295 milionë lekësh pa TVSH, është fituar me një ofertë që përfaqëson rreth 93.2% të fondit limit, një diferencë shumë e vogël që shpesh ngre dyshime mbi mungesën e konkurrencës reale.

Sipas dokumentacionit, në garë kanë marrë pjesë pesë kompani, por dy prej tyre nuk kanë dorëzuar asnjë ofertë ekonomike, duke hyrë vetëm formalisht. Ndërkohë, një kompani tjetër ka ofruar një çmim më të ulët, por nuk është marrë parasysh, dhe fituese është shpallur sërish “Communication Progress”, kompani e lidhur me biznesmenin Gentian Likaj.

Kjo mënyrë zhvillimi e garës ngre pikëpyetje të forta mbi transparencën, barazinë e konkurrencës dhe përdorimin e fondeve publike, sidomos kur bëhet fjalë për tenderë mbi kufirin e lartë monetar dhe me vlera miliona euro.

Derisa institucionet e drejtësisë të analizojnë më në thellësi rastet e tilla, mbetet pyetja publike: Si mund të konsiderohet konkurruese një garë ku ofertat reale janë minimale dhe diferenca nga fondi limit është pothuajse simbolike?
