Pamje shqetësuese kanë mbërritur në redaksinë e JOQ Albania, ku shihen punonjës të Policisë së Mirditës duke dhunuar minatorët që po protestonin për të drejtat e tyre në minierën e Balrit në Spaç.
Sipas raportimeve për JOQ, mes efektivëve që janë përfshirë janë edhe shefi i komisariatit të Mirditës, Arben Marku, si dhe i plotfuqishmi i zonës, Gjovalin Tusha.
Minatorët po protestojnë prej 7 ditësh për kushtet e vështira të punës dhe pagat e ulëta, duke kërkuar që drejtuesit e firmës turke Tete Albania të ulen në bisedime dhe të plotësojnë kërkesat e tyre.
Ata thonë se ndihen çdo ditë në rrezik jete, pa garanci sigurie, ndërsa paguhen vetëm 3 mijë lekë të reja në ditë.
“Kemi bërë një protestë prej 7 ditësh për të drejtat tona, dhe ja si na dhunon Policia e Shtetit”, tha një prej minatorëve për JOQ Albania.
Tensionet shpërthyen kur policia ndërhyri për të hapur rrugën e bllokuar nga minatorët, duke përfunduar në përplasje fizike. Dy prej minatorëve u shoqëruan në komisariat, ndërsa pjesa tjetër u mblodhën përpara godinës së policisë për të kërkuar lirimin e tyre.
Minatorët janë të vendosur të mos tërhiqen pa u përmbushur kërkesat, që përfshijnë rritjen e pagave dhe përmirësimin e kushteve të sigurisë në galeri.
Kompania Tete Albania administrohet nga İlbak Holding, një grup turk që zotëron interesat minerare në Shqipëri.
Situata në Spaç ka ndezur reagime të forta, me thirrje drejtuar institucioneve për të ndalur menjëherë dhunën policore dhe për të dëgjuar kërkesat e minatorëve.