Platforma “Football Meets Data”, e njohur për analizat dhe simulimet e saj statistikore në futboll, ka publikuar përllogaritjet më të fundit për rrugëtimin e Kombëtares shqiptare drejt Botërorit 2026.
Sipas të dhënave të përditësuara më 12 tetor, kuqezinjtë janë shumë pranë sigurimit të një vendi në fazën “Play Off”, ku mund të përballen me dy skuadra që tashmë i njohin mirë: Poloninë dhe Hungarinë.
Statistikat tregojnë se Shqipëria ka 14% shanse të përballet me Poloninë, rivalen që e mposhti për herë të parë në shtator të vitit 2023, një fitore historike që ndezi entuziazmin kuqezi.
Nga ana tjetër, Hungaria vlerësohet me 13% probabilitet për t’u bërë kundërshtarja e mundshme, një skuadër që nuk ka qenë aspak e lehtë, por që kuqezinjtë e kanë mposhtur në dy ndeshje radhazi gjatë kualifikueseve të Botërorit 2022 – të dyja herët me rezultatin 1-0 dhe me autor të golave Armando Brojën.
Kombëtarja shqiptare ka ende dy finale përpara: më 13 nëntor në transfertë ndaj Andorrës, dhe më 16 nëntor në “Air Albania” kundër Anglisë, përmbyllje që mund të përcaktojë një tjetër kapitull historik për kuqezinjtë.