Tentoi t’i mbyllë gojën gazetarëve, gjykata i “thyen hundët” mikut të Veliajt

Shkruar nga: S Shtjefni | Publikuar më: 13.10.2025, 16:45

Nadir Çausholli, një biznesmen kontravers i cili herë pas here është përfshirë në probleme me ligjin, ka humbur një gjyq për shpifje ku kishte paditur median “Boldnews.al” duke tentuar që t’i mbyllë gojën për raportimet me fakte që gazetarët kanë bërë herë pas here rreth tij.

“Gjykata dhe Prokuroria e Tiranës rrëzojnë padinë për shpifje që biznesmeni Nadri Çausholli kishte bërë kundër “Boldnews.al”, duke i thyer hundët njeriut që është dënuar për mashtrim me ilaçet,” shkruan media.

Biznesmeni kishte kërkuar nga gazetarët fshirjen e disa lajmeve, duke pretenduar se janë shpifje, madje ka kërkuar dhe një dëmshpërblim 3 milion lekë të reja për “prishje imazhi”. Megjithatë pretendimet e tij nuk u morën parasysh nga gjykata, i cili i rrëzoi me një vendim të shpallur ditën e sotme.

Ky mund të konsiderohet si një nga rastet tipike kur mediave të pavarura që raportojnë me prova e fakte, tentohet t’u “mbyllet goja” për shkak të interesave të caktuara që mund të kenë disa personazhe.

Çausholli, mik i afërt i kryebashkiakut të burgosur të Tiranës Erion Veliaj, njihet si “biznesmeni i ilaçeve”. Në maj të këtij viti ai u dënua me vendim të formës së prerë nga gjykata e “Apelit” me një vit burg për veprën penale “Manipulim i tregut”, megjithatë i shpëtoi burgut duke e konvertuar dënimin në shërbim prove.

Në vitin 2015 Nadir Çausholli u arrestua pas një hetimi të Prokurorisë së Tiranës dhe Drejtorisë së Tatimeve, pasi rezultoi se me kompaninë e tij “Omega Farma” që sot mban emrin “CFO Pharma”, kishte përfituar me anë të “falsifikimit të dokumentave” dhe “mashtrimit” me pasoja të rënda, rreth 2.2 milion euro nga fondet e ilaçeve të rimbursueshme.

Ai shpëtoi nga hetimi i kësaj çështje me një vendim të Gjykatës së Apelit e cila e shpalli të pafajshëm. Por dyshimet për mashtrim me ilaçet nuk u shuan, pasi vetëm disa ditë më parë, në 2 tetor 2025, Prokuroria e Tiranës ndërmori një kontroll në ambientet e “CFO Pharma” në kuadër të një hetimi për një skemë mashtrimi me barnat.

Në mars të këtij viti, zyrat e “CFO Pharma” u bënë subjekt i një sulmi me armë, autorët e të cilit nuk dihen ende. Nadir Çausholli ka në menaxhim dhe linjën e autobusëve të Unazës në Tiranë, “Green Line”, mjetet e të cilës herë pas here janë përfshirë në aksidente rrugore.

Pas biznesit të dyshimtë në tregun e ilaçeve, Nadir Çausholli në fund të vitit 2024 u përfshi dhe në fushën e ndërtimit. Ai u bë ortak me Visin e Pojës (Elvis Doçi) i cili është shpallur në kërkim nga SPAK për pjesëmarrje në një organizatë kriminale.

Visi i Pojës dhe Nadiri i ilaçeve bashkuan forcat për të ndërtuar hotelin luksoz në plazhin e Durrësit, me emrin “Rock of Kavaja”.

Me të gjithë këto aktivitete të cilat janë shoqëruar dhe me raportime të herë pas hershme në media, Nadiri u mundua të pastrojë emrin e tij me anë të gjykatës ku bëri padi për shpifje, dhe mori përgjigjen që meriton.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit