Një ditë më parë, në një deklaratë për mediat pa praninë e gazetarëve por me një video me regji, Ministrja e Brendshme Albana Koçiu dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, njoftuan ndalimin e përdorimit të monopatinave elektrike në rrugët e vendit tonë, me arsyetimin e shtimit të aksidenteve me protagonistë këto mjete.
Si masë ashpërsuese u paralajmëruar se do të bëhej sekuestrimi i të gjithë monopatinave që do të shiheshin në rrugë. Ky zhvillim i ka gjetur të papërgatitur qytetarët, për më tepër që u njoftua në një ditë pushimi ku shumica e njerëzve nuk janë aq të vëmendshëm ndaj zhvillimeve të aktualitetit.
Sot në mëngjes, me qindra skutera u bllokuan nga Policia, teksa qytetarët mbetën të habitur me këtë zhvillim për të cilin nuk kishin dijeni. Qytetarët u ankuan se nuk e dinin vendimin, dhe tashmë mund të humbasin punën për shkak të distancës së largët që duhet të përshkruajnë në këmbë, pasi trafiku “nuk çahet”.
Vlen të theksohet se vendimi për ndalimin e monopatinave elektrike është i përkohshëm, pasi me rregullimin e ligjit që parashikon rregullat e qarkullimit për këto mjete, ato do të lejohen përsëri për përdorim vetjak. Në këto kushte ngrihen disa pyetje:
-Kush do të përfitojnë nga sekuestrimi i monopatinave sot?
-Duke qenë se ato do të rikthehen në qarkullim pas pak kohësh, a do t’i rimarrin qytetarët mjetet e tyre të bllokuara?
-Apo ka një plan të fshehtë për t’i mbushur xhepat Policisë, duke i nxjerrë në ankand mjetet elektrike?
Asgjë nuk është e qartë deri më tani, por një fakt është i sigurt: Vendimi “Sot për Nesër” i ka gjetur qytetarët të papërgatitur, dhe lë vend për spekulime.
Lajmi i marrë nga TVA News!