Autostrada Tiranë–Durrës do të ketë ndërprerje të pjesshme të qarkullimit ditën e sotme, më 13 tetor, për shkak të nisjes së punimeve në kuadër të projektit “Emergjencë për riparimin e nënshtresave dhe shtresave asfaltike” në segmentin rrugor Vorë–Ura e Dajlanit.
Sipas njoftimit zyrtar të Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH) dhe Ministrisë së Infrastrukturës, bllokimi do të ndodhë në drejtimin Vorë–Durrës, konkretisht në segmentet: Vorë–Maminas; Maminas–Sukth; Sukth–Fllakë; Fllakë–Mbikalimi i Shkozetit dhe Mbikalimi i Shkozetit–Ura e Dajlanit
Punimet pritet të zgjasin 1 deri në 2 ditë për çdo segment, ndërkohë që ARRSH rekomandon përdorimin e rrugës alternative Vorë–Maminas–Katër Rrugët e Shijakut–Durrës, për të shmangur trafikun dhe vonesat.
Pas përfundimit të ndërhyrjeve në krahun Vorë–Durrës, punimet do të vijojnë në drejtimin e kundërt, Ura e Dajlanit–Vorë, duke ndjekur të njëjtën ndarje segmentesh dhe kohëzgjatje.