Luftime të ashpra mes Pakistanit dhe Afganistanit, dhjetëra të vrarë

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 12.10.2025, 18:03

Të paktën dhjetëra persona janë vrarë në luftimet e ashpra që shpërthyen gjatë natës mes forcave të Pakistanit dhe talebanëve afganë, në përballjen më të rëndë mes dy vendeve që prej ardhjes së talebanëve në pushtet në vitin 2021.

Ushtria pakistaneze njoftoi se ka humbur 23 ushtarë, ndërsa talebanët raportuan nëntë viktima në radhët e tyre. Të dyja palët pretendojnë se kanë shkaktuar shumë më tepër humbje tek pala tjetër, por pa prova konkrete.

Përplasjet shpërthyen pas sulmeve ajrore që Pakistani ndërmori në Kabul dhe në një treg në lindje të Afganistanit, të cilat nxitën kundërpërgjigje nga forcat afgane. Të shtunën mbrëma, trupat e talebanëve hapën zjarr ndaj postave kufitare pakistaneze, duke detyruar ushtrinë e Pakistanit të reagojë me artileri.

Kabuli deklaroi se ka ndalur sulmet pas ndërhyrjes diplomatike të Katarit dhe Arabisë Saudite, ndërsa zëdhënësi taleban, Zabihullah Mujahid, theksoi se “populli i Afganistanit do të mbrojë tokën e tij me vendosmëri”.

Në të dy anët e kufirit raportohet për pozicione të shkatërruara dhe qindra viktima, ndërsa Pakistanit i është dashur të mbyllë të gjitha pikat kryesore kufitare, përfshirë ato në Torkham dhe Chaman.

Tensionet vijnë në një moment delikat, pasi ministri i Jashtëm i talebanëve vizitoi së fundmi Indinë, rivale historike e Pakistanit, gjë që ka shkaktuar pakënaqësi të madhe në Islamabad.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit