Një incident i rëndë është shënuar paraditen e sotme në fshatin Komoran të Drenasit, ku pranë një qendre votimi ka pasur të shtëna me armë zjarri. Sipas raportimeve nga mediat në Kosovë, gjithçka ka nisur si një përleshje fizike mes disa personave, e cila më pas ka eskaluar në përdorimin e armës.
Fatmirësisht, nga të shtënat nuk ka persona të lënduar. Megjithatë, një automjet është dëmtuar, jo nga plumbat, por nga një goditje me çekiç në xhamin e përparmë, e shkaktuar gjatë përplasjes mes palëve. Ngjarja ka shkaktuar shqetësim, sidomos për faktin se ndodhi pranë një vendvotimi, në ditë zgjedhjesh.
Ndërkohë, Policia e Kosovës ka dalë me një deklaratë zyrtare, duke mohuar çdo lidhje të incidentit me procesin zgjedhor. Sipas saj, përplasja ka qenë rezultat i një konflikti të mëhershëm mes individëve të përfshirë dhe nuk ka ndikuar në mbarëvajtjen e votimeve në zonë. Hetimet po vazhdojnë për identifikimin dhe ndalimin e personave përgjegjës.