Rastësia e pabesueshme! Rey Manaj shënoi ndaj Serbisë në të njëjtën minutë që humbi penalltinë në ndeshjen e parë

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 12.10.2025, 01:55

Futbolli i do historitë e tij, por ajo që ndodhi mbrëmjen e të shtunës me Rey Manajn është diçka që të lë pa fjalë. Vetëm disa muaj më parë, më 7 qershor 2025 në “Air Albania”, Shqipëria dhe Serbia u ndanë në barazim 0-0.

Në atë ndeshje, Manaj kishte mundësinë t’i jepte fitoren historike kuqezinjve nga pika e bardhë, por ai e humbi penalltinë në minutën 45+2. Zemërimi, zhgënjimi dhe valët e kritikave që pasuan ishin të mëdha, madje shumë tifozë nuk e kursyen as ofendimet ndaj tij.

Por këtë të shtunë, historia u përsërit… në mënyrën më të pabesueshme të mundshme.

Në Leskovac, përballë të njëjtit rival, Rey Manaj shënoi pikërisht në minutën 45+2, duke vulosur fitoren më të madhe të Shqipërisë ndaj Serbisë në histori. Nga pika e dhimbjes në Tiranë, në majën e lavdisë në Serbi, një cikël që vetëm futbolli mund ta shkruajë me kaq emocion.

Ndeshja u zhvillua në një atmosferë të zjarrtë, ku nuk munguan as thirrjet e rënda të një pjesë të tifozëve serbë si “vritini shqiptarët” dhe “Kosova është Serbi”, ndërsa në tribuna u shfaq edhe një banderolë provokuese me hartën e Kosovës të mbuluar nga flamuri serb, ngjarje që pritet të sjellin ndëshkim nga UEFA.

Kuqezinjtë megjithatë ruajtën qetësinë dhe karakterin, duke mbrojtur rezultatin deri në fund. Në sekondat e fundit, Nedim Bajrami humbi mundësinë për të dyfishuar, por fitorja ishte e siguruar.

Me këtë triumf historik, Shqipëria konsolidon vendin e dytë në Grupin K me 11 pikë, duke lënë pas Serbinë me 7 pikë, ndërsa Anglia kryeson me 15 pikë.

Pas ndeshjes, trajneri i Serbisë Dragan Stojković dha dorëheqjen, duke pranuar përgjegjësinë për humbjen:

“Unë jam fajtor. Nuk e prisja këtë rezultat. Sporti ka edhe ditë të tilla.”

Një natë që do të mbetet gjatë në kujtesën e çdo shqiptari, një histori e hakmarrjes së ëmbël, e shkruar me zemër, disiplinë dhe krenari kuqezi. ❤🖤⚽

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit