Shqipëria ka marrë vlerësime të larta për performancën e saj në fitoren historike ndaj Serbisë në Leskovac, e cila përfundoi me rezultatin 0-1 falë golit të Rey Manajt në minutën e fundit të pjesës së parë.
Sipas aplikacionit të statistikave Sofascore, kuqezinjtë u vlerësuan mesatarisht me 7.09, ndërsa heroi i ndeshjes ishte portieri Thomas Strakosha, i cili u vlerësiua me notën më të lartë (8.4), pas disa pritjeve vendimtare që mbajtën të paprekur portën shqiptare.
Pas tij u rendit Rey Manaj (7.8), me këtë të fundit që jo vetëm realizoi golin e fitores, por shlyeu edhe penalltinë e humbur në përballjen e parë me Serbinë në Tiranë dhe i treti Berat Gjimshiti (7.5). Myrto Uzuni, Kristjan Asllani, Qazim Laçi dhe Ardian Ismajli kontribuan me nota solide, duke ruajtur ekuilibrin dhe qetësinë në fushë, ndërsa mbrojtja shqiptare tregoi organizim perfekt nën drejtimin e Gjimshitit dhe Ajetit.
Ndeshja u zhvillua në një atmosferë të tensionuar, ku tifozët serbë shpërthyen në thirrje fyese si “vritini shqiptarët” dhe “Kosova është Serbi”, teksa në tribuna u shfaq edhe një banderolë provokuese me hartën e Kosovës të mbuluar nga flamuri serb, ngjarje që pritet të sjellin ndëshkim nga UEFA.
Megjithatë, kuqezinjtë nuk u ndikuan dhe ruajtën qetësinë deri në fund. Në minutën e fundit, Nedim Bajrami humbi një rast të artë për të dyfishuar avantazhin, por triumfi mbeti i sigurt.
Me këtë fitore, Shqipëria konsolidon vendin e dytë në Grupin K me 11 pikë, duke lënë pas Serbinë me 7 pikë. Grupi kryesohet nga Anglia me 15 pikë, ndërsa kuqezinjtë janë më pranë se kurrë kualifikimit për Botërorin 2026.
Pas ndeshjes, trajneri i Serbisë Dragan Stojković (Pixi) dha dorëheqjen, duke marrë përgjegjësinë për humbjen dhe duke thënë:
“Unë jam fajtor, nuk e prisja këtë rezultat. Sporti ka edhe ditë të tilla.”
Një natë historike për futbollin shqiptar; me zemër, disiplinë dhe krenari kuqezi. ❤⚽🇦🇱