Izraeli ka kryer bombardime të fuqishme ajrore në Libanin e Jugut në orët e para të së shtunës, duke lënë një person të vdekur dhe shtatë të plagosur, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Libanit.
Sulmet goditën fshatin Msayleh, duke shkatërruar një qendër që shiste makineri të rënda dhe një numër të madh automjetesh. Një furgon që transportonte perime, i cili po kalonte në atë moment, u godit drejtpërdrejt nga raketat. Si pasojë humbi jetën një shtetas sirian, ndërsa u plagosën një tjetër sirian dhe gjashtë libanezë, mes tyre edhe dy gra.
Ushtria izraelite deklaroi se objektivi i sulmeve ishte një hapësirë ku, sipas saj, ruheshin pajisje që do të përdoreshin për rindërtimin e infrastrukturës së Hezbollahut.
Që prej përfundimit të luftës 14-mujore midis Izraelit dhe Hezbollahut në fund të nëntorit, e ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara, Izraeli ka kryer thuajse çdo ditë bombardime në Liban, ku kanë humbur jetën dhjetëra persona. Tel Avivi akuzon grupin Hezbollah se po përpiqet të riforcojë kapacitetet e tij pas humbjeve të mëdha gjatë luftës.
Më herët këtë muaj, komisioneri i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Volker Türk, bëri thirrje për përpjekje të reja në arritjen e një paqeje të qëndrueshme në Liban. Deri në fund të shtatorit, OKB kishte verifikuar 103 civilë të vrarë në Liban pas armëpushimit.
Lufta midis Izraelit dhe Hezbollahut shkaktoi mbi 4000 viktima në Liban, përfshirë qindra civilë, dhe rreth 11 miliardë dollarë dëme, sipas Bankës Botërore. Në Izrael humbën jetën 127 persona, mes tyre 80 ushtarë.
Konflikti nisi më 8 tetor 2023, kur Hezbollah filloi të hidhte raketa drejt Izraelit, një ditë pas sulmit vdekjeprurës të Hamasit në jug të vendit, që më pas çoi në një luftë të përshkallëzuar në fund të shtatorit 2024.
Sulmi i fundit në Libanin e Jugut vjen vetëm pak orë pasi në Rripin e Gazës hyri në fuqi një marrëveshje paqeje mes Izraelit dhe Hamasit, duke treguar se situata në rajon mbetet ende e brishtë pavarësisht ndërprerjes së luftimeve në Gaza.