“Çausholli i recetave false ngre hotel luksoz me ‘Visin e Pojës’, lejen e firmos Rama”

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 11.10.2025, 14:28

Një tjetër aferë e dyshimtë financiare ka dalë në dritë, këtë herë e lidhur me ndërtimin e një hoteli luksoz në zonën turistike të Shkëmbit të Kavajës. Biznesmeni Nadir Çausholli, i dënuar më herët për “manipulim tregu” dhe i përfshirë në skema abuzive me barnat e rimbursueshme, rezulton të jetë zotëruesi i 60% të aksioneve në kompaninë “ROCK OF KAVAJA” sh.p.k., e cila në korrik 2024 mori leje nga qeveria për ndërtimin e një hoteli 10–11 katësh me tre kate nëntokë. Kapitali i deklaruar i kompanisë është 2.2 milionë euro.

Denoncimi është bërë nga Partia Demokratike, sipas së cilës Çausholli bleu aksionet në këtë kompani për vetëm 600 euro, një shumë qesharake në raport me vlerën e deklaruar të projektit. Ortaku tjetër në kompani është Elvis Doçi, i njohur si Visi i Pojës. Vetë kompania u regjistrua vetëm dy muaj para se të merrte lejen e ndërtimit, duke ngritur dyshime serioze për favorizime politike dhe pastrim parash në emër të investimeve turistike.

PD kërkon ndërhyrje të menjëhershme nga drejtësia për të sekuestruar pasuritë e përfituara përmes abuzimeve dhe për të hetuar procesin e dhënies së lejes. Ndërkohë, historia e Çaushollit me tenderat publikë dhe bizneset e lidhura me persona pranë pushtetit shton presionin ndaj institucioneve që deri më tani kanë qëndruar në heshtje përballë këtij skandali.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit