Sot në orën 20:45, stadiumi i Leskovcit bëhet arenë e përballjes më të nxehtë të grupit K. Në fushën e gjelbër do të zbresin Shqipëria dhe Serbia, në një duel ku rezultati është vetëm një pjesë e historisë sepse për shqiptarët kjo nuk është një ndeshje si gjithë të tjerat, por një sfidë për dinjitet, histori dhe identitet kombëtar.
Edhe pse në tribuna do të mungojnë tifozët shqiptarë, për shkak të rregullave të sigurisë dhe marrëveshjes mes federatave, fryma kuqezi është më e fortë se kurrë. Ajo po ndihet në çdo cep të botës ku ka shqiptarë.
Në fakt, disa djem shqiptarë që jetojnë në Kili kanë bërë që emocionet e kësaj sfide të ndihen edhe në Amerikën e Jugut. Ata janë mbledhur duke kënduar këngë patriotike në prag të ndeshjes, duke ndezur atmosferën. Me këngë, thirrje dhe krenari, ata kanë treguar se fryma shqiptare nuk njeh kufij as kontinente.
Ndërsa në Leskovec lojtarët përgatiten për sfidën e madhe, jashtë stadiumit e në çdo qoshe të botës, shpirti kuqezi është i bashkuar në një zë të vetëm: Shqipëria sot luan për të gjithë ne.