Në prag të ndeshjes kualifikuese për Kupën e Botës mes Serbisë dhe Shqipërisë, mediat ndërkombëtare i kanë kushtuar vëmendje të veçantë kësaj sfide që shkon përtej fushës së blertë. “Neue Zürcher Zeitung”, gazeta prestigjioze zvicerane, e cilëson këtë përballje si një nga më të tensionuarat në futbollin europian, ku historia, politika dhe sporti ndërthuren në mënyrë të pandarë.
Sipas raportimit të saj, mbi një mijë forca policore janë angazhuar për të garantuar sigurinë në Leskovac, qyteti i vogël ku do të zhvillohet ndeshja. Në radhët e tyre ndodhen snajperë, agjentë civilë dhe ekspertë për dronë. Stadiumi “Dubocica”, me vetëm 8100 vende, do të jetë nën kontroll të plotë të autoriteteve, ndërsa sektori për tifozët shqiptarë do të mungojë një masë e përbashkët e UEFA-s dhe organizatorëve vendas për të shmangur çdo incident.
Kujtimet e vitit 2014 janë ende të freskëta. Atëherë, ndeshja mes dy vendeve u ndërpre pas fluturimit të një droni mbi stadium, që mbante flamurin e “Shqipërisë së Madhe”. Përleshjet që pasuan, jo vetëm në fushë por edhe në qytete të ndryshme të rajonit, e kthyen atë ndeshje në simbol të një konflikti të vjetër që futbolli nuk arriti ta zbusë.
Gazeta zvicerane sjell në kujtesë edhe episodet e mëvonshme që nga fishkëllimat ndaj himnit shqiptar e deri te thirrjet provokuese të tifozëve serbë "vritini shqiptarët". Për “Neue Zürcher Zeitung”, ky duel mbetet një pasqyrë e ndasive historike, me Kosovën ende në qendër të çdo tensioni. Serbia vazhdon të mos e njohë pavarësinë e saj, ndërsa për shumë shqiptarë, ideja e një kombi të bashkuar mbetet një ëndërr që frymëzon edhe në stadiume.
Në këtë atmosferë të ngarkuar, Kombëtarja kuqezi është akomoduar në kushte sigurie të lartë në qytetin e Nishit, rreth 30 minuta larg stadiumit. Lëvizjet e skuadrës drejt Leskovacit zhvillohen vetëm me eskortë policore, ndërsa vendndodhja e hotelit mbahet e fshehtë për mediat.
Për “Neue Zürcher Zeitung”, kjo ndeshje nuk është thjesht një duel për tre pikë, por një provë për maturinë e futbollit ballkanik. Në një rajon ku historia shpesh ndizet më shpejt se flakët e tribunave, sfida e sotme shihet si test për qetësinë dhe bashkëjetesën, në prag të një epoke të re bashkëpunimi sportiv atë të Europianit U-21 të vitit 2027, që pritet të mbahet bashkë nga Serbia dhe Shqipëria.
Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve diplomatike e masave të rrepta, tensioni në ajër është i ndjeshëm. Rivaliteti mes dy kombeve nuk është ftohur as nga vitet, as nga distanca. Dhe kur topi të vendoset në qendër, çdo pasim, çdo faull dhe çdo këngë në tribuna do të mbartë një peshë shumë më të madhe se ajo sportive.