Sot përballja Serbi–Shqipëri, ndeshja që shkruan ‘fatin’ e kuqezinjve

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 11.10.2025, 10:56

Sot, në Leskovc, luhet ajo që mund të quhet pa hezitim “sfida e Ballkanit”, përballja mes Serbisë dhe Shqipërisë, një duel që ndez pasione përtej futbollit. Për kuqezinjtë, kjo është shumë më tepër se një ndeshje, është një hap vendimtar drejt ëndrrës së madhe, Kupës së Botës 2026.

Përfaqësuesja shqiptare e Silvinjos vjen në këtë takim me një vetëdije të qartë: vetëm fitorja mban gjallë shpresën. Një barazim do ta komplikonte llogarinë, ndërsa humbja do të ishte goditje e rëndë për rrugëtimin e kuqezinjve.

Tekniku brazilian ka zhvilluar dje seancën e fundit stërvitore në stadiumin “Duboçica”, ndërsa sot pritet të zbresë në fushë me një formacion të balancuar mes kujdesit dhe guximit.

Në portë Strakosha mbetet i padiskutueshëm, ndërsa mbrojtja pritet të rreshtohet me Hysajn në të djathtë dhe Mitajn në të majtë, me Ajetin dhe Gjimshitin në qendër një bllok solid që ka dhënë garanci në ndeshjet e fundit.

Në mesfushë, titullarë pritet të jetë Qazim Laçi , duke u pozicionuar përkrah Shehut dhe Asllanit. Një treshe me energji dhe ide, që pritet të mbajë ekuilibrin mes fazave të lojës.

Në repartin ofensiv ku mund të ketë surpriza, pritet që Daku të udhëheqë sulmin, i mbështetur nga Broja në të djathtë dhe me shumë mundësi Myrto Uzuni në të majtë. Pikërisht kjo e fundit është dilema e madhe e Silvinjos, pasi Nedim Bajrami mbetet në garë për një vend titullari.

Atmosfera në kampin kuqezi është e ndezur, e përzier mes tensionit dhe motivimit. Çdo lojtar e di se kjo nuk është një ndeshje e zakonshme: është një duel që luhet me zemër, për ngjyrat, për flamurin dhe për ëndrrën që mban gjallë gjithë kombin.

Ndërkohë masat e sigurisë në Serbi janë të rrepta, 5000 forca policore janë aktivizuar për sigurinë para dhe gjatë ndeshjes, pasi frika se aktet e dhunëshme të Beogradit në 2014 mund të përsëriten.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit