Juxhin Drazhi, 34 vjeç, është ekstraduar nga Spanja drejt Shqipërisë, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar si pjesë e një organizate kriminale që trafikonte lëndë narkotike në Norvegji dhe Belgjikë. Ekstradimi u finalizua nga Interpol Tirana në kuadër të operacionit “The Wanted”, në bashkëpunim me autoritetet spanjolle. Drazhi akuzohet nga Gjykata e Posaçme për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve” në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale”. Hetimet e kryera nga SPAK zbuluan se ai ishte pjesë e një grupi të drejtuar nga Ervis Doçi, i njohur si “Visi i Pojës”.
Në emër të Juxhin Drazhit është i regjistruar në Durrës një biznes për tregtimin dhe dhënien me qira të automjeteve, por hetimet e thelluara të SPAK kanë zbuluar edhe një seri lëvizjesh të dyshimta të pasurive që lidhen me familjen e tij. Konkretisht, janë identifikuar 10 pasuri të regjistruara në emër të kompanisë “Majestic Konstruksion”, e cila ka kaluar disa herë pronësinë midis Nazmi Shahinit dhe Arben Drazhit, babait të Juxhin Drazhit. Fillimisht, Shahini i ka shitur 100% të aksioneve të kompanisë Arben Drazhit në vitin 2021, por brenda dy muajve kompania i është rishitur sërish Shahinit, nëpërmjet kontratave të përpiluar pa noter publik.
Këto lëvizje kanë ngritur dyshime të forta për pastrim parash dhe fshehje pasurie në emër të familjarëve të Juxhin Drazhit, çka ka çuar SPAK-un në vendimin për sekuestrimin e “Majestic Konstruksion” dhe 9 sipërfaqeve të tokës të regjistruara në emër të saj. Sekuestrimi është vendosur më 21 maj 2025 dhe u ekzekutua më 27 maj në Qendrën Kombëtare të Biznesit dhe Zyrën e Hipotekës në Durrës. Pasuritë janë vendosur në administrim të Denisa Roshit nga Zyra për Menaxhimin e Aseteve të Sekuestruara, ndërsa Arben Drazhi është larguar nga pozicioni i administratorit të kompanisë. Hetimet për rastin vijojnë në bashkëpunim me autoritetet italiane.