Pas miratimit nga qeveria izraelite dhe dakordësisë me Hamasin, ka nisur zbatimi i marrëveshjes për shkëmbimin e pengjeve dhe të burgosurve mes palëve. Sipas planit të paqes, Izraeli ka filluar lirimin e afro 2 mijë palestinezëve të mbajtur në pesë burgje të ndryshme, përfshirë 250 të dënuar me burgim të përjetshëm dhe 1,700 banorë të Gazës të arrestuar pas sulmeve të 7 tetorit. Ndërkohë, Hamasi ka nisur dorëzimin e pengjeve izraelite, ku deri të hënën pritet të dorëzohen 20 të gjallë dhe 28 trupa të pajetë.
Armëpushimi ka hyrë në fuqi një ditë më parë, duke i dhënë fund përkohësisht luftimeve intensive në Rripin e Gazës. Forcat izraelite kanë përfunduar fazën e parë të tërheqjes nga enklava, ndërsa mijëra banorë palestinezë janë duke u kthyer në shtëpitë e tyre në veri të Gazës. Në përpjekje për të garantuar zbatimin e armëpushimit, SHBA ka njoftuar zhvendosjen e 200 trupave në Izrael, të cilët do të jenë pjesë e një Task Force shumëkombëshe për monitorimin e situatës në terren.
Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump ka shprehur besim se armëpushimi do të qëndrojë, duke paralajmëruar vizita në Izrael dhe Egjipt këtë fundjavë. Megjithatë, grupet militante palestineze, përfshirë Hamasin, Xhihadin Islamik dhe Frontin Popullor për Çlirimin e Palestinës, kanë deklaruar se nuk do të pranojnë asnjë ndërhyrje të jashtme në qeverisjen e Gazës, duke theksuar se qeverisja e Gazës është çështje palestineze.