Vetëm pak kohë pas dorëheqjes së kryetarit Ermal Dredha dhe komandimit të Elis Halilit në krye të Bashkisë Vlorë, institucioni lokal ka zhvilluar një tender që ngre dyshime të forta për mungesë transparence dhe paracaktim të fituesit.
Objekti i procedurës është “Blerje makina elektrike”, me numër reference REF-60582-09-08-2025 dhe një fond limit prej 15,980,000 lekësh të reja pa TVSH, ose rreth 191 milionë lekë të vjetra me TVSH.

Fitues është shpallur Andi Hamo, me ofertën 15,900,000 lekë pa TVSH — pra vetëm 0.5% më pak se fondi limit, një diferencë simbolike që në praktikë sinjalizon një tender të paracaktuar.
Sipas dokumenteve të siguruara nga JOQ Albania, në garë ka marrë pjesë vetëm një ofertues, pikërisht fituesi i shpallur. Në këtë mënyrë, Bashkia Vlorë ka shpërndarë rreth 190 milionë lekë për 6 makina elektrike, ose mbi 31 milionë lekë për automjet, në kushte të mungesës totale të konkurrencës.
Ky zhvillim vjen menjëherë pas një periudhe turbulente në bashkinë bregdetare, ku Ermal Dredha dha dorëheqjen më 10 shtator 2025, ndërsa Elis Halili u komandua si kryetar i përkohshëm me votim në Këshillin Bashkiak.

Dorëheqja e beftë e Dredhës dhe ndryshimet e menjëhershme në strukturat drejtuese, përfshirë firmosjen e dorëheqjeve të dhjetëra drejtuesve vartës pak ditë para largimit, krijuan një klimë të dyshimtë për riorganizime të paravendosura.
Në këtë kontekst, tenderi për makinat elektrike shihet si një kontratë “urgjente” e realizuar në periudhën e tranzicionit, periudha më e përshtatshme për vendime pa shumë pyetje dhe me pak sy publikë.

Diferenca minimale mes fondit limit dhe vlerës fituese, mungesa e konkurrencës dhe fakti që tenderi është zhvilluar menjëherë pas ndërrimit të drejtimit politik në bashki, shtojnë dyshimet për një procedurë të mbyllur, të paracaktuar dhe të kontrolluar nga brenda.
Në mungesë të reagimit zyrtar nga Bashkia Vlorë, mbetet pyetja që kërkon përgjigje: A është ky tender për “makina elektrike” një hap drejt modernizimit, apo një tjetër shembull i tenderëve që ecin me rrymë politike dhe jo elektrike?