Kur kanë kaluar 5 ditë nga ngjarja që tronditi mbarë vendin, ku brenda sallës së gjyqit Elvis Shkambi vrau me armë gjyqtarin Astrit Kalaja, një mik i gjyqtarit i është drejtuar redaksisë sonë me kërkesën për të publikuar një poezi në kujtim të të ndjerit.
Ai thotë se vrasësi në vend që të marrë ndëshkimin e merituar nga publiku, po konsiderohet si hero në rrjetet sociale, dhe kjo gjë po e lëndon familjen e gjyqtarit.
Më tej shton se Shkodra do ta kujtojë gjyqtarin Kalaja si një njeri me zemër të mirë dhe shpirt të pastër që rrahu fort për drejtësi.
“Përshëndetje JOQ! Meqë marria ka arritur kulmin e po glorifikohet një vrasës, u detyrova me ju shkrujt. Astriti është mik i familjes dhe unë e njoh prej shumë vitesh. Është ndër të paktët gjyqtarë të ndershëm të këtij vendi. Njeri tepër i mirë e familjar, një tmerr i madh kjo që ka ndodh me të.
Ky tmerr nuk po ia lehtëson familjes hiç atë që po ndodh nëpër internet. Astriti e ka mbajtur atë gjyq ballë për ballë, edhe pse s’ka pasur nevojë të hynte në gjakrat e dy palëve, po kjo mirësi e burrni e tija u shpërbly kështu.
Meqë e keni postuar një poezi për një kriminel që po e shesin si djalë i mirë fort, e me vlera (kulmi), mendoj që e mira asht me postu edhe këtë dedikim timin për një njeri të mrekullueshim, siç e kemi njohur ne: Miqtë e tij e tan Shkodra."
Poezia e plotë për gjyqtarin Astrit Kalaja:
Astriti vdiq prej zemrës.
Po, po prej asaj zemre që s’e nxinte krahnori,
prej asaj zemre që digjte si flakë për Shkodrën e vet.
Zemra e madhe e nji burri që dite me dashtë,
me dashtë njeriun,
me dashtë qytetin,
me dashtë edhe ata që s’dijnë çka asht me dashtë.
E tradhtoi zemra e vet
ajo zemra që deshti me u tregu e butë
para ashpërsisë së botës,
ajo që shtriu dorën për me ndihmue,
e që ma vonë iu kthye n’litar.
Por mos u merzit, Astrit.
Se nata nuk mban përjetë.
As hija e krimit s’ka me sundue mbi dritën.
Drejtësia, ajo që ti e deshte si fëmija nanën,
ka me u ngjallë prap,
me dalë prej hinit,
si dielli që lind mbi Drin,
e përqafon kalanë që rri mbi qytet si kujtim i përjetshëm.
Mos u merzit, se fryma jote s’ka me u tretë.
Ajo ka me jetue
n’sytë e shkrum të vajzës tande,
në fjalët e buta të grus,
në buzëqeshjen e ambël të tjetrës,
e n’fisnikërinë e heshtun të djalit tand.
Ai ka me ecë me ballin nalt,
ashtu si ti ecje dikur ndër rrugët e qytetit tand të dashtun.
Mos u merzit, Astrit.
Se edhe pse ike padrejtësisht,
na s’kemi me t’lanë me u harrue.
Kemi me t’kujtu ndër tavolina shkodranësh,
në zanin e gotave që përplasen për nder,
në kujtimet që s’vdesin,
në fjalët që rrinë pezull në ajrin e qytetit tand.
Siç tha nji dashamirese:
“Sot Shkodra ka humbë nji bir.”
E po, tanë kena humbë nji shok të mirë,
nji shpirt t’pastër që rrahu fort për drejtësi,
nji zemër që s’gjeti paqe veçse kur u nda.
Por Shkodra ka me t’kujtu, Astrit
në heshtje,
në shi,
në kambanat e mëngjesit,
në hijen e kalasë që s’lodhet kurrë,
në frymën e çdo njeriu që ende beson
se drita, në fund, ka me mundë terrin.